Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në festimet e 40-vjetorit të Radios “Jehona e Shqipes” në Bruksel, duke e cilësuar atë si një ndër institucionet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Evropë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha shprehu vlerësimin për rolin që radioja ka luajtur ndër dekada në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar larg atdheut.

“Për katër dekada, ‘Jehona e Shqipes’ ka mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar në zemër të Evropës”, u shpreh ministri.

Ai falënderoi themeluesin Sakip Skepi dhe bashkëpunëtorët e radios për përkushtimin ndaj komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe më gjerë, duke theksuar se për 40 vite radioja ka qenë “urë bashkimi, vatër kujtese dhe zë identiteti” për mijëra bashkatdhetarë.

Sipas Hoxhës, diaspora shqiptare mbetet një faktor i rëndësishëm në promovimin e vlerave kombëtare dhe aspiratës evropiane të Shqipërisë.
“Kudo ku ruhet dhe zhvillohet shqipja, jeton edhe shqiptaria”, theksoi ai në mesazhin e tij.