Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po e shënjestron Evropën në “ Strategjinë e re Kombëtare Kundër Terrorizmit ” të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, duke e përshkruar kontinentin si një “vatër kërcënimesh terroriste”. Dokumenti gjithashtu shënjestron “ ekstremistët e dhunshëm të krahut të majtë ”, ndërsa i kushton rëndësi të veçantë përballjes me organizatat islamike dhe ideologjinë që, sipas Uashingtonit, ushqen terrorizmin modern xhihadist.
Në dokumentin e ri strategjik, Shtëpia e Bardhë përcakton tre kërcënime kryesore për Shtetet e Bashkuara.
Këta janë “narko-terroristë dhe bandat ndërkombëtare”, “terroristë historikë islamistë” dhe “ekstremistë të dhunshëm të krahut të majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët”.
Referenca ndaj “ekstremistëve të krahut të majtë” është një nga formulimet më të mprehta të tekstit, i cili pasqyron vijën e ashpër të ndjekur nga administrata Trump mbi çështjet e sigurisë dhe të politikës së brendshme.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë përqendrohet në organizatat që SHBA-të i konsiderojnë si eksponentë kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar islamik.
Këto përfshijnë Al Kaedën, e cila ishte përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, Al Kaedën në Gadishullin Arabik, Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, dhe ISIS-Khorasan, dega aziatike e organizatës.










