Në një ditë ku shumëkush ironizonte referendumin me kandidat të vetëm në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi vendosi të ulë në tokë “skeptikët” dhe t’u kujtojë atyre se bota nuk nis e mbaron në Tiranë.
Sepse, sipas tij, zgjedhje të tilla ndodhin kudo në Evropë. Madje edhe në zemër të Partisë Popullore Evropiane, aty ku Manfred Weber u zgjodh dhe më pas u rikonfirmua në krye të PPE-së përmes një procesi me kandidaturë të vetme.
Pra, mesa duket, problemi nuk qenka fakti që gara ka vetëm një kandidat. Problemi është se në Shqipëri, për çdo proces të tillë, ndërtohen drama ekzistenciale, dokumentarë moralë dhe analiza sikur po zgjidhet Papa.
Këlliçi, i cili votoi në njësinë numër 10 së bashku me familjen, e quajti procesin “tejet transparent” dhe kujtoi se pjesëmarrja është detyrim statutor për demokratët. Ai falënderoi komisionerët e PD-së dhe bëri apel që demokratët të marrin pjesë në votim, ndërsa paralajmëroi edhe Kuvendin e jashtëzakonshëm të 30 majit, ku fjalët kyçe do të jenë “modernizimi, ripërtëritja dhe digjitalizimi”.
Por pjesa më interesante ishte përpjekja për t’u shpjeguar shqiptarëve termin “referendum”, sikur vendi sapo ka zbuluar demokracinë direkte.
“Këta që janë kuriozë që s’kanë dëgjuar ndonjëherë termin referendum, t’ia bëjmë me dije që referendumet janë këto lloj formash votimi”, deklaroi Këlliçi, duke i dhënë debatit një dimension pedagogjik.










