Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po bashkëpunon me oligopolet e karburanteve për të mbajtur artificialisht të larta çmimet e naftës në Shqipëri, duke rënduar drejtpërdrejt ekonominë e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të ditës së sotme, Tabaku deklaroi se propozimi i qeverisë për uljen e akcizës së karburanteve është një masë e vonuar dhe pa efekt real, ndërsa theksoi se problemi i vërtetë lidhet me modelin ekonomik të ngritur në vend.
Sipas saj, Shqipëria ka krijuar një sistem ku “monopolet dhe pushteti fiskal bashkëpunojnë kundër qytetarëve”, duke bërë që vendi të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në Europë, pavarësisht nivelit të ulët të pagave.
“Nafta mund të bjerë në bursat ndërkombëtare, mund të bjerë në rajon, por në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë sepse sistemi e favorizon këtë model”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD solli në vëmendje edhe barrën fiskale mbi karburantet, duke theksuar se mbi 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat. Ajo u ndal veçanërisht tek taksa e qarkullimit, e cila sipas saj është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013 dhe u kushton shqiptarëve mbi 200 milionë euro në vit.
Tabaku argumentoi se efekti i çmimit të lartë të karburantit prek çdo familje shqiptare, pasi reflektohet tek çmimet e ushqimeve, transporti, kostot e prodhimit dhe çdo produkt i konsumit të përditshëm.
Në fjalën e saj ajo krahasoi edhe reagimin e vendeve të Bashkimit Europian dhe të rajonit ndaj krizës energjetike, duke theksuar se BE ka angazhuar miliarda euro masa mbrojtëse për qytetarët, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndërhyrë me ulje taksash dhe kontroll të tregut.
Ndërkohë, sipas saj, Shqipëria vazhdon të mos ketë asnjë strategji reale ekonomike.
“Ky nuk është treg i lirë. Kjo është ekonomi e deformuar. Një ekonomi ku fitimi ndahet mes oligopoleve dhe qeverisë, ndërsa qytetarët paguajnë faturën”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD solli edhe të dhëna krahasuese mbi fuqinë blerëse, duke theksuar se 60 litra karburant i kushtojnë një shqiptari rreth 25% të pagës mujore neto, ndërsa në Serbi kjo përqindje është rreth 11% dhe në Gjermani vetëm 2.5%.
Në përfundim, Tabaku e cilësoi situatën si “tragjedinë më të madhe ekonomike të Shqipërisë”, duke akuzuar qeverinë se ka ndërtuar një ekonomi “në shërbim të pakicës dhe jo të qytetarëve shqiptarë”.










