Joshua Volz, i dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, ka njoftuar se Uashingtoni po forcon prezencën e tij në Ballkanin Perëndimor për të mbështetur sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të reduktuar varësinë e tyre nga furnizimet ruse.

Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Volz tha se SHBA-ja synon të zëvendësojë “molekulat ruse” me burime alternative energjetike, duke zgjeruar infrastrukturën në Europën Juglindore. Ai e konsideron sigurinë energjetike si pjesë të sigurisë kombëtare, që lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin politik në rajon.

“Ne e kemi parë koston e madhe që Europa ka paguar për varësinë e tepruar nga burimet ruse. Rusia ka qenë vazhdimisht e gatshme për ta përdorur energjinë si armë dhe si mjet për presion politik. Ne nuk duam që partnerët dhe aleatët tanë të vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e opsioneve energjetike, që krijon varësia e madhe nga Moska. Prandaj, ne po i ofrojmë burimet energjetike amerikane për të zëvendësuar molekulat ruse. Ky është një nga elementet më të rëndësishme të përputhjes strategjike mes presidentit Donald] Trump dhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Të dy e duan eliminimin e energjisë ruse nga sistemi energjetik evropian deri në fund të vitit 2027.”, u shpreh i dërguari i posacëm i Dëpartamentit amerikan të Energjisë.