Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një intervistë në News24, ka komentuar sërish sot dekretin e emërimit të Ols Dados prokuror në vitin 2008.
Topi ka përsëritur qëndrimin e tij në lidhje me çështjen, duke konfirmuar faktin se gara për emërimet bëhej nga Kryeprokurori i kohës, Ina Rama.
“Historia është kjo: Çdo periudhë kohore ka ligjet e veta. Pra, bëhet fjalë për vitin 2008, në atë kohë institucioni i Prokurorisë që administronte garën për prokurorët e rinj, e administronte brenda institucionit të vet, e administronte nëpërmjet funksionimit të Këshillit të Prokurorisë, ku sipas ligjit dhe rregullave kishte një vend edhe për përfaqësuesin ligjor të institucionit të Presidentit. E gjithë gara në atë kohë administrohej nga institucioni. Në përfundim të garës vinte një komunikim kushtetues formal nga institucioni i Prokurorisë për te Presidenti për të bërë dekretin. E gjitha është konsumuar sipas ligjit atje”, tha ai.
Si në këtë rast, edhe më herët, Topi është shprehur se emërimi i Dados është bërë nga ish prokurorja Ina Rama.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar prej disa javësh një kërkesëpadi pranë Gjykatës Administrative, në të cilën kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados prokuror, pikërisht pse ai është emëruar në detyrë pa pasur Shkollën e Magjistraturës.










