Ernest Muçi do të jetë përfundimisht lojtar i Trabzonspor. 25-vjeçari ka bindur klubin të blejë përfundimisht kartonin e futbollistit i cili ishte marrë në huazim nga Besiktas.

Sipas klubit nga Stambolli, Trabzonspor do të paguajë 8.5 milionë euro për blerjen përfundimtare të Ernest Muçit, i cili ka patur një sezon fantastik në Trabzon. Këtu nuk përfshihet 1 milionë euro që Trabzonspor shpenzoi për futbollistin e kombëtares për të marrë në huazim në fillim të sezonit.

Muçi deri më tani te Trabzonspor ka shënuar 15 gola, duke i siguruar skuadrës pikë të rëndësishme për të arritur evropën përmes kampionatit, por edhe duke e udhëhequr në kupë. Falë Muçit Trabzonspor do të luajë finalen e Kupës së Turqisë.