Evi Kokalari ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në SPAK kundër Sali Berishës, Shkëlzen Berishës, Argita Malltezit, Albana Vokshit dhe disa personave të tjerë, të cilët i akuzon për “marrjen peng” të Partisë Demokratike dhe përdorimin e saj për interesa personale. Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari thotë se ka shpjeguar në detaje mënyrën se si, sipas saj, PD u kontrollua pas Kuvendit të 30 prillit 2022, ndërsa paralelisht ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë e politikë në gjykatë, pranë SPAK-ut, DASH-it dhe zyrtarëve të Partisë Popullore Europiane.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit:
Sot në mëngjes kam bërë kallëzim penal në SPAK për marrjen peng të Partisë Demokratike nga familja Berisha dhe rrethi i tij, për arsye të qarta korrupsioni dhe për t’u përdorur si mburojë kundër vetë SPAK-ut.
Kallëzimi është kundër:
Sali Berishës
Shkëlzen Berishës
Argita Malltezit
Albana Vokshit
dhe disa të tjerë.
Kam shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale të tyre.
Jam në dispozicion të plotë të SPAK-ut për këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër ku prokurorët e shohin të arsyeshme që unë mund t’ju nevojitem.
Si e tillë, deri më sot kam marrë këto hapa:
1 – Kallëzim penal në SPAK
2 – Padi civile me kërkesë për masë sigurimi, tashmë e pranuar nga Gjykata (kërkohet pezullimi i Kuvendit të 23 Majit)
3 – Denoncim të detajuar pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë
4 – Email-update për zyrtarë të lartë të EPP-së
Për sa i përket Shqipërisë, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Gjykatës, si dhe me mbështetjen nga jashtë të DASH-it dhe EPP-së, do ta izolojmë këtë kancer që ka pushtuar opozitën dhe, si pasojë, të gjithë politikën shqiptare.










