Formula 1 është në garën e shtatë të sezonit, me botën e shpejtësisë që këtë fundjavë është zhvendosur në cirkuitin e ‘Gilles Villeneuve’ në ishullin Notre Dame në Montreal të Kanadasë.

Pasi fitoi garën Sprint, George Russell i Mercedes ia doli që të sigurojë edhe ‘pole position’ për garën e sotme, duke lënë pas shokun e skuadrës, Andrea Kimi Antonelli, me 0.68 sekonda. Për anglezin ky është ‘pole’ i tretë radhazi në tre vitet e fundit në Kanada, ose i nënti në gjithë karrierën. Pas garës, dyshja e Mercedes patën një takim me drejtuesit duke lënë pas konfliktet që lindën pas nisjes në garën Sprint.

Pas dyshes së Mercedes, për garën e sotme që do të fillojë në orën 22:00 me orën shqiptare, u renditën dy pilotët e McLaren, Lando Norris dhe Oscar Piastri. Pas tyre u rendit Ferrari i Lewis Hamilton dhe Red Bulli i Max Verstappen. Leclerc vetëm në pozitën e tetë të nisjes.

Pas gjashtë garave të para të sezonit, italiani Andrea Kimi Antonelli kryeson klasifikimin me 106 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës, Russell me 88 pikë, Leclerc me 63 pikë, Norris me 58 pikë dhe Hamilton me 54 pikë. Për Ndërtuesit, Mercedes prin me 194 pikë, duke lënë pas Ferrarin me 117 pikë.