Në GJKKO u mbajt seanca e radhës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 10 të pandehurve të tjerë, të cilët do të gjykohen me një treshe të re gjykuese pasi do të gjykohen me proces normal.

Treshja gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e ndarë të Veliajt përbëhet nga kryesuesja Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini e Besmir Stroka.

Prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, kërkesë që u pranua nga Gjykata. Sipas tij, katër të pandehur janë bërë pengesë për vijimin e gjykimit për shkak të mungesës së tyre ose të avokatëve mbrojtës.

“SPAK çmon se jemi në kushtet për shtyrje të seancës, pasi pengesa shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre. Kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn”, deklaroi Dado në sallë.

Kundër këtij qëndrimi reagoi avokati Plarent Ndreca, i cili e cilësoi kërkesën antikushtetuese dhe të pabazuar. Sipas tij, mungesa e disa të pandehurve nuk mund të cenojë lirinë e Veliajt, pasi ai ka caktuar përfaqësim ligjor dhe avokati është i pranishëm në seancë.

“Antikushtetuese, e pabazuar dhe cënon lirinë e Veliajt që nuk bëhet shkak për shtyrjen e seancës, ka caktuar avokat, avokati është këtu”, tha Ndreca.