Ekstradimet dhe operacionet ndërkombëtare kundër krimit të organizuar po intensifikohen në kohën kur krimi s’po njeh kombësi.
Vetëm gjatë këtij viti, drejt Shqipërisë janë ekstraduar apo transferuar 37 persona të kërkuar ndërkombëtarisht, ndërsa gjatë vitit 2025 numri arriti në 109 persona.
Shifrat tregojnë një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër trafikut të drogës dhe organizatave kriminale.
Së fundmi, nga Italia drejt Shqipërisë u ekstradua Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Sipas hetimeve, ai akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka trafikuar në Itali fillimisht 2 kilogramë kokainë gjatë vitit 2020 dhe më pas 932 kilogramë kokainë në vitin 2021, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte mes Durrësit dhe Pulias dhe merrej me trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim të parave.
Operacioni i zhvilluar nga SPAK, autoritetet italiane dhe Eurojust një vit më parë çoi në lëshimin e 52 masave të sigurisë për anëtarë të këtij grupi kriminal.
Gjykata e Posaçme këtij grupi kriminal i sekuestroi miliona euro pasuri, kompani ndërtimi, restorante, automjete luksoze dhe para cash.
Por ndërsa disa të kërkuar kthehen në Shqipëri, të tjerë po dërgohen drejt vendeve ku akuzohen për krime të rënda.
Nga Tirana drejt Gjermanisë u ekstradua Roy Garin, i akuzuar për organizatë kriminale dhe mashtrim me shuma të mëdha në 33 raste. Ndërsa drejt Mbretërisë së Bashkuar u transferua Altin Shehu, i kërkuar për vrasje.










