Në përfundim të kampionatit “Abissnet Superiore” rezulton se ekipi i KF Bylis është renditur në vendin e 9-të dhe zbret në Kategorinë e Parë. Në të njëjtën kohë, KF Bylis B ka fituar ndeshjet e play-off të Kategorisë së Dytë. Referuar Nenit 24.7 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, pjesëmarrja e dy ekipeve të të njëjtit klub në të njëjtën kategori nuk lejohet.
Gjithashtu, Neni 24.8 përcakton se, në rastet kur ekipi “A” zbret në kategorinë ku ndodhet ekipi “B”, atëherë ekipi “B” zbret automatikisht një kategori më poshtë. Për rrjedhojë, pavarësisht rezultatit sportiv të arritur, KF Bylis B nuk mund të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe do të rikthehet në Kategorinë e Dytë për sezonin sportiv 2026/27.
Duke qenë se rregulloret parashikojnë pasojën për KF Bylis B, por nuk përcaktojnë shprehimisht mënyrën e plotësimit të vendit vakant në Kategorinë e Parë në një situatë të tillë, sipas nenit 41 të Statutit të FSHF në këto raste çështja kalon për shqyrtim të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Pas propozimit të Komisionit të Ligave dhe Garave dhe Komisionit Ligjor, Komiteti Ekzekutiv vendosi zhvillimin e një ndeshjeje të vetme play-off ndërmjet KF Kukësit dhe KF Butrintit, në territor asnjanës, për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë në sezonin sportiv 2026/27.
Detajet mbi datën, orarin dhe stadiumin e zhvillimit të kësaj ndeshjeje do të bëhen publike në vijim nga Departamenti i Garave të FSHF.










