Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi dje një vizitë në Vatikan. Kreu i Shtetit u prit në një audiencë nga Papa Leone XIV në Pallatin Apostolik.
Në takim u vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera me Selinë e Shenjtë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kontributi shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë bisedës, një vëmendje e veçantë iu kushtua besimit, persekutimit të klerikëve dhe besimtarëve të krishterë në periudhën e komunizmit në Shqipëri.
“Shqipëria, ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme nga ndalimi i besimit gjatë regjimit komunist”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit u shpreh se në atë periudhë, por dhe në shekuj më të hershëm, shqiptarët e kanë ruajtur në shpirt besimin në Zot dhe e kanë ushtruar atë duke rezistuar me qëndresë deri në martirizim.
Presidenti Begaj ftoi Papa Leonen XIV për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë që ka për vendin tonë një vizitë e tillë.
“Takimi me Atin e Shenjtë, Papa Leone XIV, është gjithnjë një takim i përzemërt. Lidhja e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë ka vlera të mëdha historike bazuar mbi sakrificë, pasion e shenjtëri. Vlerësova marrëdhëniet tona dhe e ftova Atin e Shenjtë për të vizituar Shqipërinë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.
Presidenti i Republikës zhvilloi, gjithashtu, një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ku u diskutuan zhvillimet ndërkombëtare me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për Kosovën dhe zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të çështjeve të hapura në rajon, si dhe rëndësinë e integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.










