Për investime të kryera apo shërbime të marra, shteti duhet ta paguajë privatin brenda 30 ditëve. Në konsultimin publik është hedhur projektligji “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare” i cili përcakton në mënyrë strikte afatet për të paguar detyrimet.

“Afati i pagesës i përcaktuar në kontratë nuk mund të kalojë 30 ditë kalendarike. Ky afat mund të zgjatet deri në një maksimum prej 60 ditë kalendarike vetëm nëse është rënë dakord shprehimisht në kontratë dhe kjo zgjatje justifikohet objektivisht nga natyra apo veçoritë e veçanta të kontratës.”

Në të kundërt, për çdo ditë vonesë do të aplikohen kamatvonesa.

“Në transaksionet tregtare ndërmjet sipërmarrjeve, kreditori ka të drejtë të përfitojë kamatëvonesë pa qenë e nevojshme dërgimi i një njoftimi apo kujtese për pagesë, nëse janë përmbushur kushtet kur kreditori ka përmbushur detyrimet e tij kontraktuale dhe ligjore dhe kreditori nuk e ka marrë pagesën në afat, përveç rasteve kur debitori vërteton se nuk është përgjegjës për vonesën.”

Veç rregullimit të marrëdhënieve shtet-privat, nisma ligjore është edhe detyrim për vendin në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Ndryshimet adresojnë problematikën e vonesave të pagesave me impakt në likuiditetin e sipërmarrjeve dhe mungesën e një mekanizmi për kamatëvonesat, që ndikon në konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme Përafrimi ligjor do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të shërbejë si një tregues i arritur për piketat përmbyllëse të Kapitullit 20”