Nga Ardi Stefa
Dikur teatrot kishin “kleklerkë”, ndryshe, duartrokitës me pagesë.
Njerëz që uleshin në rreshtat e parë dhe të shpërndarë nëpër sallë që duartrokisnin me komandë, qeshnin me detyrim dhe ngrinin spektatorët në këmbë edhe kur shfaqja ishte mediokre.
Ishin pjesë e mashtrimit artistik. Publiku duhej bindur se po shihte një kryevepër, edhe kur në skenë kishte vetëm zhurmë e vanitet.
Sot teatrot janë boshatisur nga kleklerkët.
Kleklerkët janë transferuar në politikë.
Partitë janë kthyer në skenat më të mëdha të duartrokitjes false. Aty gjen turma që brohorasin liderin para se të flasë, e duartrokasin para se të mendojnë dhe e mbrojnë edhe kur turpëron vetveten, e glorifikojnë edhe kur këput broçkulla.
Nuk ka rëndësi çfarë thotë. Mjafton ta thotë “udhëheqësi”. Njësoj si në teatrot e dikurshme kur duartrokitja nuk ishte reagim, por detyrë.
Në çdo takim partie sheh fytyra të lodhura që bërtasin “fitore” edhe pas humbjes; që quajnë “historik” çdo dështim; “vizionar” çdo delir çdo mashtrim e gënjeshtër të “vërtetën absolute”.
Kleklerkët e sotëm nuk paguhen gjithmonë me para. Disa paguhen me vende pune, disa me premtime, disa me një foto pranë kryetarit, e shumë të tjerë me iluzionin se një ditë do u bjerë ndonjë kockë nga tavolina e pushtetit.
Më tragjikja është se këta duartrokasin kultin.
Janë idhujtarë. Ndonjëherë i quajmë edhe “sufllaqexhinj”.
Nuk mbrojnë ide, por pronarë partish me fanatizëm. Nuk reagojnë si qytetarë, por si tifozë të tredhur politikisht. Nuk mbrojnë e argumentojnë mendime, thjesht shajnë e anatemojnë mendimin ndryshe nga ai i liderit. Dhe sa më i dobët lideri, aq më histerike bëhet duartrokitja. Sepse kleklerku ka veç një detyrë: të mbulojë me zhurmë, mallkime e sharje; gënjeshtrat, mashtrimet, humbjet kronike.
Prandaj politika shqiptare ngjan kaq shumë me një teatër të keq. Jo vetëm prej aktorëve apo spektatorëve, por edhe prej duartrokitësve.
Një mashtrues në skenë nuk do të mbijetonte kurrë pa turmën e atyre që duartrokasin edhe kur perdja ka rënë prej kohësh.
Një mashtrues në politikë nuk do të mbijetonte pa kleklerkët që manipulojnë idiotët!










