Rubrika e poezisë “Melodia e Vargut” këtë herë prezantohet me vargjet e Martin Camajt. Publiku ka mundësinë të shijojë 3 poezi të shkrimtarit.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosh

Rubrika e poezisë këtë herë prezantohet me vargjet e Martin Camajt.

Poezia e parë e bukur deri në dhembje

1. Shiu mbi lum’

Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë

e pikat e shiut po bijnë mbi lum

në qiellin e vrantë lëviz nji halë

shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës

e pikat e shiut po bijnë mbi lum

dëshira e pjekun po bjen prej degës

shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.

Në votër flaka po del krandeve

e pikat e shiut po bijnë mbi lum

veshët e mij janë lodhë prej zâneve

Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.

2. Të parën lule

Të parën lule që ndesha

Un ty ta pruna.

A thue din lulja çka ndiejmë për të?

Heshtojmë! Ajo krye-ulun andrron

Livadhet që là.

3. Kam shikimin tand në shpirt

Vargje të mrekullueshme këto, ku ndjenja shkrihet kaq natyrshëm me natyrën, trupin, shpirtin.

Kam shikimin tand në shpirt

dhe melodinë e pavdekshme

të gjakut në pasion.

Freskia mëngjesore

dhe bari i lagun fryjnë

zemrën time të zgjueme

nga prania jote në të.

Kam shikimin tand në shpirt.

Filli i zanit tand

depërton gjymtyrët e mija

dhe trajtat tua rrijnë

të pashlyeme

në bebzat e syve të mij,

që lahen për të parën herë

në jetë

në këtë mëngjes me diell.