Pak ditë pas skandalit me natyrë seksuale në spitalin e Korçës, ku një 21-vjeçare denoncoi kirurgun Nikolla Nunka, tashmë i pezulluar deri në fund të hetimeve, përveç familjarëve ka reaguar edhe avokatja e të dëmtuarës.
Refxhei Tola tregon se ky nuk është precedenti i vetëm që mban “firmën” e mjekut në fjalë të dyshuar, por ka pasur raste të ngjashme që datojnë edhe 33 vite më parë dhe denoncimet janë shtuar.
Mbrojtësja ligjore e 21-vjeçares shpjegon se ngacmimi i fundit i ngjashëm tashmë i denoncuar daton një vit më parë.
“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Arsyeja pse kërkova të jap këtë deklaratë është sepse kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur. Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive”, nisi ajo deklaratën e saj.
Dhe më tej Tola thotë se fton edhe të dëmtuar të tjerë nga ky mjek që të denoncojnë, teksa kërkoi masa të forta dhe reagim institucional:
“Vlerësoj vajzën që denoncoi. Drejtësia e re duhet të reagojë nëpërmjet këtij shembulli, që maniakët, abuzuesit dhe pedofilët të mos shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion, as ato që u takojnë avokatëve mbrojtës. Ne jemi një ekip prej 3 avokatësh që po asistojmë viktimën e abuzuar, por jemi të gatshëm të asistojmë edhe të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë. U bëj thirrje grave të vijnë të denoncojnë. Ne ju garantojmë anonimat të plotë. Në Shqipërinë tonë, ky fenomen ndodh rëndom dhe nuk merren masa të caktuara ndëshkimore, por raste të tilla përfundojnë duke u trajtuar vetëm me arrest shtëpie”.
Avokatja tregon se në studion ligjore vijojnë të vijnë denoncime, teksa shpreh habinë se si një kirurg kaq i dyshuar ka qëndruar në sistemin mjekësor kaq gjatë.
“Bëhet fjalë për akuza dhe denoncime ndaj këtij mjeku që kanë ardhur në studion tonë ligjore. Janë akuza të cilat datojnë për ngjarje, e para fillon rreth 33 viteve më parë, dhe më e fundit që ka ardhur është para një viti. Sigurisht që mua më duhet të ruaj anonimatin. Këto denoncime janë duke u trajtuar nga studioja jonë ligjore para se të shkojnë në strukturat përkatëse të drejtësisë. Ne duam të faktojmë që ky rast është një rast i përsëritur dhe se ky problem nuk qëndron vetëm tek mjeku. Kemi të bëjmë me një strukturë spitalore e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të bërë një hetim administrativ, edhe pse ka pasur çdo indicie të mjaftueshme për të mos e mbajtur më këtë mjek në atë vend pune, ku ai ka pasur mundësinë të shfrytëzojë dhe të përdorë njerëz në kushte vulnerabël”, tha Tola.
Lidhur me pyetjen nëse ka raste që lidhen me mjekë të tjerë të përfshirë avokatja u shpreh:
“Për këto elementë nuk mund të përgjigjem, janë pjesë e hetimit”.
Në lidhje me rastin e fundit të denoncuar ajo sqaroi ende nuk ka marrë informacion zyrtar nga organet ligjzbatuese dhe se po punohej në mbledhjen e provave.
“Rasti i fundit është një rast i një vajze të re. Është, mesa duket, mjeku ka pothuajse të njëjtën praktikë pune me të gjitha vajzat që i vijnë. Jemi duke trajtuar, duke mbledhur provat e nevojshme për ta depozituar në polici dhe në prokurori. Nuk kam mundur të njihem me dosjen, pasi ne sot jemi autorizuar me prokurën për të qenë avokatët mbrojtës të vajzës dhe pas kërkesës që kemi bërë në prokurori, ende nuk e kemi marrë informacionin, edhe pse është një situatë e paprecedentë që të mos jepet informacioni. Megjithatë jemi duke drejtuar të gjitha kërkesat zyrtare me shkrim, me email, për t’ia dërguar prokurorisë, në pritje për të marrë informacionin e nevojshëm para dhënies së masës së sigurimit të mjekut”.
Në fund Tola shpjegoi se synimi i këtij hetimi edhe nga studio ligjore është dalja në pah e rasteve të përsëritura.
Ajo i bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave të abuzuara që të denonconin mjekun në fjalë, por edhe persona të tjerë, sepse këto raste sipas saj nuk duhen toleruar.
“Ne po punojmë për t’i bërë prezente, sepse ajo që ne duam të ndërtojmë në mbrojtjen tonë efektive është të japim të kuptojmë që ky është një rast i përsëritur, pra nuk është një rast që ka ndodhur njëherë dhe kaq. Pra është një rast i përsëritur dhe kjo është ajo që ne po punojmë për të bërë. Dhe prandaj unë jam këtu për t’i bërë thirrje edhe njëherë të gjitha grave dhe vajzave që janë ndjerë të abuzuara: Është koha për të folur, sepse mesa duket tashmë ka ardhur radha e fëmijëve tanë, pra nuk është më radha jonë për t’u abuzuar, dhe kjo është e patolerueshme në themel”, përfundon avokatja.
Si ndodhi ngjarja?
E reja ishte dërguar në urgjencë për shkak të dhimbjeve të barkut e të vjellave ndërsa pas kontrolleve mjekësore, është vendosur që të kryejë ndërhyrje për apandesit.
Sipas kallëzimit të saj, thuhet se mjeku Nikolla Nunka, e ka ngacmuar seksualisht duke e prekur në pjesë intime me pretendimin e kontrollit mjekësor.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe babai i vajzës, i cili deklaroi se ka ardhur nga Gjermania dhe ishte i shqetësuar për shëndetin e të bijës. Ai tregoi se mjeku, pasi i kishte aplikuar kremin të resë, kishte tentuar ta puthë.










