Në garën me kandidat të vetëm Sali Berishën për kryetar partie, duket se në Partinë Demokratike ekziston një frikë më e madhe: mungesa e pjesëmarrjes në votim nga anëtarësia.

Ditën e djeshme, eksponentë dhe drejtues të degëve të PD i bënë thirrje demokratëve për të dalë në votime për të rikonfirmuar Berishën. Sot, po ashtu, deputetë të PD që votuan qëllimisht herët kanë bërë të njëjtën thirrje.

Megjithatë, askush nuk ka mundur (ose s’ka dashur) t’i japë një përgjigje pyetjes se sa anëtarë me të drejtë vote ka PD. As vetë Sali Berisha nuk iu përgjigj dje kësaj pyetjeje, duke e lënë të panjohur numrin e saktë të anëtarëve që mund të votojnë sot.

Sot në mëngjes, deputeti i PD, Eno Bozdo, pasi u bëri thirrje demokratëve që të shfaqin vullnetin e tyre për të hedhur votën për Berishën, kur u pyet nga gazetarët e la pa përgjigje pyetjen sa anëtarë ka PD.

Por, a është ky një truk që, në fund të ditës, të fshihet pjesëmarrja reale e anëtarësisë në konfirmimin absolut të Berishës në krye të PD?

Bozdo: Ftoj demokratët të dalin me votën e lirë dhe të shfaqin vullnetin e tyre.

Gazetarët: A është zgjedhja më e mirë e mundshme me një kandidat? A do ishte më mirë të kishte edhe kandidatë të tjerë?

Bozdo: Asnjë kandidat që nuk plotëson kushtet nuk ka pse të jetë në garë. Më mirë të kemi një proces politikisht i vlefshëm sesa një garë me kandidatë që janë aty thjesht për të plotësuar numrin; kjo do ishte thjesht një farsë. Kjo është mënyra më e mirë; votimi i fshehtë po zhvillohet normalisht në çdo degë.

Gazetarët: A është normale të mos dihet numri i anëtarësisë?

Bozdo: Numri i anëtarësisë dihet.

Gazetarët: Sa është?