Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “më se të afta” për të rifilluar operacionet ushtarake kundër Iranit, nëse situata e kërkon një gjë të tillë.
Duke folur në forumin e sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapore, Hegseth theksoi se Uashingtoni mbetet i vendosur të parandalojë Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.
“SHBA është e angazhuar për të penguar Iranin që të pajiset me një armë bërthamore”, deklaroi ai, ndërsa negociatat për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin vijojnë mes pasigurive për rezultatin përfundimtar.
Shefi i Pentagonit nënvizoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar çështjen e programit bërthamor iranian si një nga prioritetet kryesore të sigurisë globale.
“Kemi ende detyrime globale për të garantuar që, për shembull, Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, tha Hegseth.










