Një tension i papritur ka lindur brenda kombëtares franceze në prag të Botërorit 2026.
Federata Franceze e Futbollit (FFF) i ka kërkuar Kylian Mbappé-s dhe shokëve të tij të skuadrës të bëjnë një “sforcim financiar” dhe të pranojnë uljen e bonuseve që u ishin premtuar.
Paradoksi në këtë mes është i dukshëm. Çdo lojtar zakonisht përfiton pak mbi 21,000 euro për ndeshje si pagesë për të drejtat e imazhit, të lidhura me aktivitetet tregtare të sponsorëve. Vetëm disa muaj më parë, pas kualifikimit të Francës me fitoren 4-0 ndaj Ukrainës, bonusi individual u dyfishua, duke kaluar nga rreth 21,000 euro në 42,000 euro, me kërkesë të kapitenit Mbappé dhe me miratimin e shpejtë të presidentit të federatës, Philippe Diallo.
Tani, federata ka ndryshuar tërësisht kurs dhe lojtarët kanë mbetur të befasuar, veçanërisht duke pasur parasysh se kjo kërkesë vjen vetëm katër muaj pas rritjes së bonuseve nga vetë Diallo. Arsyeja zyrtare e dhënë nga FFF-ja është dëshira për të kursyer në të gjitha ekipet kombëtare, në kuadër të balancimit të buxhetit.
Megjithatë, ky argument ekonomik duket i brishtë. Kombëtarja franceze gjeneron të ardhura rekord nga kontrata me “Nike”, e cila kalon vlerën e 100 milionë eurove në vit. Deri më tani, FFF-ja dhe “Les Bleus” nuk kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët, ndërsa diskutimet e reja pritet të zhvillohen gjatë grumbullimit të skuadrës më 28 maj në Clairefontaine.










