Mbi 2 mijë familje në rang vendi pritet të përfitojnë nga privatizimi i banesave shtetërore.Me ndryshimet e reja të miratuara nga qeveria janë zgjeruar dhe kategoritë përfituese, lehtësuar dokumentacionet si dhe për të përshpejtuar mbylljen e dosjeve të vjetra edhe për të zgjidhur rastet që kanë mbetur pezull prej vitesh.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën e llogaritjes së sipërfaqes “mbi normë”. Deri tani, sipërfaqja shtesë mbi normat e strehimit paguhej me çmimin e tregut, ndërsa me vendimin e ri ajo do të llogaritet mbi bazën e “kostos aktuale të ndërtimit”. Në praktikë kjo pritet të ulë ndjeshëm faturën për familjet që disponojnë apartamente më të mëdha se norma e përcaktuar.
Vendimi i ri synon të zgjidhë edhe problemet me banesat që nuk kanë dokumentacion të plotë pronësie. Bashkitë do të mund të nisin procedurat e privatizimit edhe në rastet kur mungon informacioni mbi titullin e pronësisë. Në këto raste, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të përditësojë statusin juridik të pasurisë si “pronë shtet”, duke hapur rrugën për kalimin e saj në privatizim.
Ky mekanizëm pritet të zhbllokojë qindra raste që kanë mbetur pezull për vite për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë.
Vendimi i qeverisë parashikon edhe kosto të reja operative. Për banesat që privatizohen nga Enti Kombëtar i Banesave, qytetarët do të paguajnë 4 për qind të vlerës së privatizimit si shpenzim operacional për EKB-në. Po ashtu, përfituesit duhet të paguajnë paraprakisht si shpenzimet administrative ashtu edhe ato operacionale para nënshkrimit të kontratës.
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave krijon mundësinë që familjet të kryejnë procedurat pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të finalizuar privatizimin e apartamenteve të tyre.








