Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi iu është drejtuar i revoltuar efektivëve të policisë në protestë, pasi ata penguan marshimin e protestuesve në drejtim të Ministrisë së Brendshëm.
Bardhi tha se protesta ishte paqësore, dhe pyeti policinë pse provokoi protestuesit duke zbatuar urdhra sipas tij të paligjshëm.
“Nga kush i merrni urdhrat ju?! A ishte protesta paqësore? Pse e bllokoni rrugën?! Pse provokoni?! A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?! Pse e bllokoni rrugën? Shkoni arrestoni ata që kanë vjedh shqiptarët, mos arrestoni qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit”, tha Bardhi.
Reagimi i Bardhit erdhi pak minuta pas tensioneve në protestë, ku policia pengoi marshimin e protestuesve në drejtim të Ministrisë së Brendshme, duke e shpërndarë turmën me ujë.
Në një moment protestuesit hodhën molotov, ndërkohë që policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.








