Në takimin me socialistët në Dibër, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek burgosja politike e Fatos Nanos. Rama tha se PS kur erdhi në pushtet, nuk kërkoi revansh, por nisi një rrugë të vështirë për një shtet të së drejtës, ku burgosjet politike mos të përsëriteshin më kurrë.

“PS nuk kërkoi revansh, por shtet të së drejtës. PS doli nga një opozitë ku kthimi i saj në krye të vendit u bë në të njëjtat ditë me daljen e liderit të saj nga burgu. Ku u mbajt padrejtësisht dhe ku u fut politikisht, por në asnjë moment nuk la të kuptohej ai vetë dhe i gjithë lidershipi ndonjë qëllim për tu hakmarrë, duke fut në burg të burgosurin e vet. Por përkundrazi nisi një rrugë më të vështirën, për të krijuar kushtet që burgosjet politike të mos përsëriteshin më kurrë në Shqipëri. Nëse do kishte drejtësi, drejtësinë ta bënte drejtësia dhe jo politika. Kjo është një rrugë që bashkon aspiratat e shqiptarëve që janë të lidhura me Europën. Kjo e bën PS të vetmen forcë europianizuese të këtij vendi”, tha Rama.