Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste vlerësoi sot se Shqipëria është në një moment shumë vendimtar, por dhe shumë delikat, pasi nuk kemi qenë asnjëherë kaq afër realizimit të një ëndrre historike, anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, Elbasan, Rama theksoi se “është e nevojshme që të jemi të gjithë të vetëdijshëm se këto hapa të fundit të tre-katër viteve që kemi përpara janë edhe më të vështirat”.

“Janë dhe më të vështirat sepse është faza kur duhet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me organizmin e Bashkimit Europian në aspektin, jo vetëm të ligjeve, por dhe në aspektin e standardeve dhe në ndërkohë që na duhet kjo vetëdije edhe na duhet që ta ndjejmë të gjithë së bashku këtë përgjegjësi. Partia Socialiste, familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë edhe pa e humbur për asnjë moment motivimin për të shkuar çdo ditë e më shpejt përpara me një tërësi forcash edhe faktorësh që janë tërësisht kundër nesh”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se forca dhe faktorë politikë, mediatikë dhe socialë, në sensin e pranisë në rrjetet sociale, prodhojnë dhe shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra ose gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha.

“Akuza, lajme të cilat edhe kur nuk janë të pavërtetë vendosen aty në një proporcion tërësisht të zhdrejtë me realitetin. Unë kam postuar para disa ditësh një analizë që një startup shqiptar i ka bërë përmes inteligjencës artificiale 66 ditëve të fundit në media; në media tradicionale, televizione dhe në mediat online portale, të gjitha artikujve të shpërndarë dhe të gjitha fjalëve të thëna”, shtoi Rama.

Kjo analizë, sipas tij, rrëzon çdo lloj legjende urbane, të sajuar me vite dhe të shpërndarë edhe botërisht se Shqipëria është një vend mediash të kapura.

“Nuk ekziston një vend mediash të kapura ku 60% të kohës televizive e kanë forcat jo qeveritare ose kundër qeverisë dhe nuk ekziston një vend mediash të kapura aty ku 57% e portaleve janë kundër qeverisë, ndërkohë që një pjesë tjetër janë neutral dhe pastaj një pjesë shumë e vogël mund të konsiderohen pro qeveritare. Kjo e rrëzon vërtetë këtë legjendë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se kjo është një pasqyrë që duhet ta kemi shumë mirë parasysh në rrezikun që ka për Partinë Socialiste, dezinformimi.

“Mund të bien pre e energjive negative që prodhohen në mënyrë të vazhdueshme dhe e lajmeve që ndërtohen mbi gjysmë të vërteta dhe mund të humbasin motivimin”, shtoi Rama.

Duke u ndalur te opozita, Rama tha se “vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe pastaj edhe me një energji që mund ta pengojë në këtë rrugë”.

“Këtu nuk është çështja e aritmetikës, nuk është çështja as se ne e kemi përpara zgjedhje, se ne nuk kemi përpara zgjedhje përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore, por ato kanë rëndësinë e tyre, ama nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh, por nuk duhet që kjo atmosferë të vërë në pikëpyetje motivimin dhe përgjegjësinë, peshën e përgjegjësisë tek secili prej nesh, është shumë e rëndësishme kjo gjë”, shtoi ai.

Ndaj kryeministri ritheksoi rëndësinë e takimeve me anëtarësinë dhe diskutimeve për çështjet e mëdha politike dhe çështjet e mëdha shoqërore.