Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, në një postim të gjatë në Facebook, ka kujtuar se, një vit pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2025, Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar: as reflektim, as analizë dhe asnjë projekt për të ardhmen.
Salianji thotë se rezultati ishte më i dobëti që nga viti 1997, e megjithatë PD po shkon në zgjedhjet e tjera me të njëjtën frymë humbëse dhe me të njëjtët njerëz që humbasin.
Postimi i plotë:
Sot, 11 Maj – 1 vit nga humbja e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025.
Asnjë reflektim, asnjë analizë reale. Asnjë përgjegjësi e marrë. Asnjë projekt i qartë për të ardhmen. Vetëm heshtje dhe vazhdimësi në të njëjtën rrugë që na ka çuar drejt humbjeve prej 13 vitesh.
Përtej shkeljeve dhe abuzimeve të Qeverisë së Edi Ramës, të evidentuara nga OSBE/ODIHR, mbetet i rëndë fakti se pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e ulëta në historinë e tranzicionit, pavarësisht përfshirjes së diasporës… dhe më e keqja… zgjedhjet e 11 Majit shënuan rezultatin më të dobët elektoral të Partisë Demokratike në historinë e saj. Më të dobët se në vitin 1997.
Asgjë e keqe nuk vjen vetëm për keq. Humbja duhet të shënonte një fillim të ri, për t’u ngritur kokën demokratëve.
Për të ndërtuar rrugën e fitores duke marrë përgjegjësi, duke u hapur, duke u modernizuar, duke mobilizuar dhe duke u bashkuar.
Por Partia Demokratike po shkon drejt zgjedhjeve të ardhshme me të njëjtën frymë, me të njëjtët njerëz dhe me të njëjtën mendësi që ka prodhuar dhe do të prodhojë humbje.
Drejtuesit duhet të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: demokratët, në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj, ndjejnë dhimbje sa herë që Partia Demokratike humb.
Kush e ka përgjegjësinë për humbjet e PD-së? Për të njëjtët njerëz dhe të njëjtën strategji që i ka lënë demokratët rrugëve prej 13 vitesh?
Partia Demokratike e Shqipërisë mund dhe duhet të rikthehet si një parti e madhe, një parti masash, një parti që prodhon ide, energji dhe shpresë. Jo një parti e mbyllur rreth individëve, por një forcë e hapur për çdo demokrat që do të kontribuojë.
Rruga që po ndiqet sot është rruga e humbjeve të djeshme dhe e shuarjes së Partisë Demokratike.
PD dhe demokratët nuk e meritojnë.
Ne nuk ndalemi derisa kjo e vërtetë të gjejë vend në mendjet e të gjithë demokratëve dhe ta kthejmë PD-në në rrugën e fitores.










