Në Gjykatën e Posaçme u inauguruan sot 4 salla gjyqësore, 16 zyra gjyqtarësh dhe holle tërësisht të rikonstruktuara në ngjashmëri me modelin amerikan të gjykatave.

Kryegjyqtari i posaçëm Erjon Bani tha në fjalën e tij se ambientet dinjitoze nuk kanë të bëjnë vetëm me paraqitjen, por edhe me cilësinë e gjykimit dhe trajtimit të qytetarëve që i drejtohen GJKKO-së në kërkim të drejtësisë.

“Në kuadër të Ditës së Drejtësisë inaugurojmë ambientet e rikonstruktuara dhe të rimodeluara të gjykatës. Godina ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Posaçme është ndërtuar në vitin 2008 me mbështetjen e BE-së, për këtë mbështetje shprehim mirënjohjen edhe sot. Pas më shumë se 15 vitesh funksionimi intensiv, u bë e qartë nevoja për një ndërhyrje infrastrukturore. Sot nuk inaugurojmë vetëm salla gjykimi dhe holle. Një gjykatë nuk është thjesht një godinë, është vendi ku publiku kërkon të drejtën. Mënyra se si qytetari hyn në gjykatë, si trajtohet dhe si pritet është po pjesë e cilësisë së drejtësisë”,- tha Bani.

Më tej, Bani shtoi se ky transformim nuk është luks, por domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Sallat e gjykimit janë zemra e gjykatës dhe duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet. Transparenca nuk është detyrim formal, por pjesë e kulturës institucionale të gjykatës”,- tha Bani.

I ftuar në ambientet e rikontruktuara të GJKKO-së ishte dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili theksoi po ashtu se “se infrastruktura në gjykata nuk është çështje periferike, është pjesë e mënyrës se si funksionon drejtësia çdo ditë”.

Gogu nënvizoi fjalën e kreut të GJKKO-së, i cili tha se “siguria dhe dinjiteti në procesin gjyqësor nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë”, duke nënkuptuar një përgjigje mbi debatin e mbajtjes së kafazin e qelqtë të të pandehurve të paraburgosur, gjatë seancave gjyqësore.

“Dhe më vjen mirë, ndihem shumë mirë që në fjalën tuaj prekët edhe këtë çështje, sepse duhet ta trajtojmë me maturi dhe seriozitet. Standardi evropian kërkon atë ekuilibër që ju paraqitët në fjalën tuaj më parë, nga njëra anë sigurinë e procesit, nga ana tjetër mbrojtjen e dinjitetit qytetar”,- tha Gogu.