Drejtori i Përgjithshëm i Skender Hita, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar takime me studentë të Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si dhe me punonjës policie në trajnim për hetimin e krimit pranë Akademia e Sigurisë.
Gjatë fjalës së tij drejtuar studentëve, Hita vlerësoi zgjedhjen e tyre për t’iu bashkuar Akademisë, duke e cilësuar si një vendim me rëndësi për jetën personale dhe për shoqërinë.
“Të dashur studente dhe studentë, zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar, një zgjedhje e rëndësishme për jetën tuaj dhe për kontributin në shoqëri. Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit, dhe pa diskutim kjo zgjedhje kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndjenjë përgjegjësie”, u shpreh Hita.
Ai theksoi gjithashtu standardet e formimit profesional në Akademi, duke nënvizuar se institucionet e sigurisë po funksionojnë me kurrikula bashkëkohore dhe të harmonizuara me praktikat ndërkombëtare.
“Akademia është e akredituar nga Ministria e Arsimit, me standarde bashkëkohore dhe e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ju studioni me kurrikula të Akademisë së Policisë italiane, ndërsa edhe trajtimi financiar është në parametra të kënaqshëm”, tha ai.
Duke iu drejtuar të rinjve, Hita dha edhe disa mesazhe kryesore mbi etikën profesionale.
“Do t’ju këshilloja për tre gjëra: merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi”, theksoi ai.
“Shqipëria ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju. Unë besoj te ju dhe keni mbështetjen time të plotë. Ju uroj suksese dhe ju inkurajoj ta përballoni çdo sfidë me dinjitet dhe me përkushtim”, shtoi Hita.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi edhe një takim me efektivë policie në trajnim për hetimin e krimit, ku vuri theksin te rëndësia e rritjes së vazhdueshme profesionale për përmbushjen e detyrës në mënyrë efikase.
Policia e Shtetit nënvizoi se trajnimi dhe profesionalizimi i strukturave hetimore mbetet një nga prioritetet kryesore për forcimin e rendit dhe sigurisë publike.










