Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se ishte presioni i ambasadorëve të BE-së që detyroi deputetët demokratë të bashkonin votat ditën e sotme me mazhorancën, për Rezolutën e Integrimit, e miratuar në Kuvend me 114 vota pro.
Në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Spahiu tha se me miratimin e Rezolutës është ezauruar një nga vërejtjet dhe rekomandimet nga BE për mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës.
“Mendoj se bashkimi i votave mes PS dhe PDpër rezolutën është një lajm i mirë sepse ezaurohet një nga vërejtjet dhe rekomandimet për të cilat komisionerët ishin shumë kritikë në raportet e fundit, që ishte mungesa e bashkëpunimit të qeverisë me opozitën, krijimi i hapësirave për opozitën, apo edhe heqja dorë nga procesi bllokues apo i dhunshëm i rrugës së opozitës”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se pavarësisht se dakordësia mes PD dhe PS për Rezolutën mund të jetë arritur për shkak të presionit të ambasadorëve të BE, ai e cilësoi akt pozitiv miratimin me konsensus e Rezolutës.
“Mendoj se pavarësisht se kjo mund të jetë bërë me hir apo me pahir, mund të jetë bërë nga presioni i ambasadorëve, të cilët një javë më parë patën një deklaratë kritike kundër Sali Berishës, për shkak të sulmeve që ai i adresonte ambasadorit Gonzato. Dhe mendoj se ky presion ka qenë një presion pozitiv që e ka detyruar opozitën të ndërmarrë një akt pozitiv në drejtim të procesit të integrimit”, tha Spahiu.










