Donald Trump është nisur drejt Kinës për një takim me presidentin Xi Jinping, ndërsa ka dhënë një sërë deklaratash të forta për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë Iranin, Kinën dhe situatën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë “dy superfuqitë e botës”, duke e shoqëruar këtë deklaratë me tone pozitive për marrëdhëniet me Pekinin, në prag të vizitës së tij.
Megjithatë, Trump u ndal edhe te Irani, duke deklaruar se “udhëheqësit e Teheranit ose do të bëjnë gjënë e duhur, ose ne do ta përfundojmë punën”. Ai shtoi se SHBA-të “e kanë Iranin nën kontroll të plotë” dhe paralajmëroi se “ose do të arrihet një marrëveshje, ose ata do të shkatërrohen”. “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, theksoi ai, duke shtuar se palët “kanë rënë dakord për këtë”, por sipas tij realiteti nuk përputhet ende me atë që është komunikuar.
Trump vlerësoi gjithashtu rolin e Pakistanit, duke i cilësuar zyrtarët e tij si “ndërmjetës të mrekullueshëm” në përpjekjet diplomatike. Duke folur për presidentin kinez Xi Jinping, ai tha se pritet një vizitë e tij në SHBA drejt fundit të vitit dhe shtoi se do të dëshironte që deri atëherë të ishte përfunduar salla e re e banketeve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai u shpreh se do të diskutojë gjatë me Xi Jinping për luftën në Iran, por shtoi se nuk beson se Kina do të ndihmojë Uashingtonin në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme.
Në një moment tjetër të deklaratave të tij, Trump reagoi ashpër ndaj një gazetari që vuri në dyshim kostot e projektit të sallës së banketeve, duke e quajtur atë “një person budallaqe”. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë South China Morning Post, Zonja e Parë Melania Trump nuk do ta shoqërojë presidentin në këtë vizitë në Kinë.










