Çështja e bujshme e prishjes së një pallati nga tërmeti në kombinat, çoi në masa për disa zyrtarë të bashkisë dhe IMT, por këtë të premte, Gjykata ka vendosur të shpallë të pafajshëm nga të gjitha akuzat, Aurel Boriçin. Drejtori aktual në Drejtorinë e Medias dhe Komunikimit në Bashki, si dhe ish zyrtarët e tjerë Aurel Çuko dhe Eleana Guçe morën sot drejtësinë pas një kalvari të gjatë në të cilin u përballën me baltosje publike.
Një gazetar prej dy dekadash, Boriçi që drejtoi përkohësisht Emergjencat Civile në një nga kohërat më sfiduese në Bashki, atë pas tërmetit, u akuzua për abuzim me detyrën për prishjen pa vendim këshilli, të një pallati në kombinat, por faktet dhe proçesi vërtetuan që Insituti i Ndërtimit kishte vendosur një gjë të tillë pas analizave dhe oponencës teknike. Jo vetëm kaq, por zyrtarët zbatuan aktin normativ për një pallat ku tërmeti kishte sjellë viktima, që saktëson se nëse rindërtimi tejkalon 70% të kostos, ose nëse IN vendos që është i pabanueshëm, duhet të prishet. Boriçi dhe Çuko zbatuan ligjin, por Prokuroria mendoi ndryshe me akuzat, që më pas ranë si një “tigër letre”.

Të pafajshëm dhe dy ish zyrtarët e IMT, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi ndërsa u dënuan me 9 muaj burg, për falsifikim, Shyqyri Maloku, si dhe 6 muaj Aleksandra Mahmutllari, masa të cilat u konvertuan në “punë në interes publik”. Gjykata nënvizoi se Prokurori Bledar Valikaj dështoi të provojë akuzat ndaj Boriçit dhe Çukos, e madje nuk respektoi asnjë nga vendimet hettuese për të cilat ishte urdhëruar më parë, në një çështje e cila ishte pushuar më parë, pikërisht sepse nuk ekzistonte vepra penale.