Nga Eduard Zaloshnja
Nga sondazhi im i fundit, rezultoi se vetëm gjysma e gjithë të anketuarve (pavarësisht nëse votuan apo nuk votuan vjet) do të votonin sot për partitë ekzistuese (nqs zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare). Kurse gjysma tjetër nuk do të votonte për asnjë nga to.
Dhe meqenëse kampioni i sondazhit i përfaqësonte statistikisht rreth 1.9 milionë banorët e rritur të vendit nga pikpamja demografike, gjeografike, arsimore dhe politike, mund të ekstrapolohet përafërsisht se rreth 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri, kurse rreth 950 mijë nuk do të votonin fare.
Po kujt ia japin votën ata që janë gati të votojnë sot, dhe që përbëjnë gjysmën më të vendosur të elektoratit në Shqipëri?
Ndër rreth 950 mijë që do të votonin sot këtu, rreth 645 mijë do t’ia jepnin votën PS-së, rreth 290 mijë PD-ASHM-së, dhe vetëm 15 mijë partive të tjera të vogla. Pra, mbi 2/3 do të votonin PS-në (shihni Grafikun 1).
Dhe si votuan vjet ata që nuk janë gati të votojnë sot për asnjë nga partitë ekzistuese? Ndër rreth 950 mijë që nuk do të votonin sot në Shqipëri, rreth 120 mijë votuan vjet për PS-në, rreth 210 mijë votuan për PD-ASHM, rreth 185 mijë votuan për parti të tjera të vogla, dhe rreth 435 nuk votuan fare (shihni Grafikun 2).










