Mbrojtësit e djalit të themeluesit të Mango-s, Jonathan Andic, ka sjellë elemente të reja në hetimet për vdekjen e Isaac Andic, duke argumentuar se artriti i dyfishtë në gjunjë, nga i cili vuante biznesmeni, kufizonte ndjeshëm refleksin e tij në rast rënieje. Ky fakt mund të shpjegojë gjetjet e autopsisë dhe të forcojë skenarin e një aksidenti.
Sipas historikut mjekësor të Isaac Andic, themeluesi i Mango vuante nga osteoartriti në të dy gjunjët, një sëmundje që, sipas avokatëve të mbrojtjes, kishte ulur aftësinë e tij për të reaguar shpejt në rast humbjeje të ekuilibrit.
Ky element përdoret nga avokatët e Jonathan Andic, i cili po hetohet për vrasje, për të shpjeguar mungesën e plagëve në pëllëmbët e biznesmenit gjatë autopsisë.
Policia e Katalonjës ka vlerësuar se, në rast të një rënieje të rastësishme, Andic do të kishte përpjekur instinktivisht të kapej diku, duke lënë shenja karakteristike në duar para se të binte nga një humnerë pothuajse 100 metra e thellë në malet e Montserrat.
Megjithatë, mbrojtja pretendon se artriti i tij mund të kishte ngadalësuar refleksin në masë të tillë, saqë ai të mos arrinte të shtrinte duart për të mbrojtur veten.
Për të mbështetur këtë argument, avokatia referohet te një incident më 20 shkurt 2024, rreth dhjetë muaj para vdekjes së tij. Andic kishte ngatërruar këmbët dhe ishte rrëzuar pranë hyrjes së objektit të organizatës jofitimprurëse Mutua Universal në Barcelonë, ku kishte shkuar për drekë me një grup biznesmenësh.
Videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë, e publikuar nga mediat, tregon biznesmenin duke humbur ekuilibrin papritur dhe duke rënë pa pasur kohë të shtrinte duart për mbrojtje. Një punonjës e ndaloi në kohë, duke parandaluar një dëmtim serioz në kokë.
Jonathan Andic u arrestua më 19 maj dhe u paraqit para gjykatës, e cila urdhëroi mbajtjen e tij me një garanci prej një milioni eurosh. Ai pagoi menjëherë shumën dhe u lirua.
Në arsyetimin e vendimit gjyqësor, thuhet se Isaac Andic ra “me këmbët përpara, si të rrëshqiste në një rrëshqitëse”. Mungesa e plagëve në pëllëmbë, sipas gjyqtares, e bën më pak të mundshme hipotezën e rrëshqitjes ose rënies përpara dhe forcon skenarin e vrasjes.
Çfarë thotë mbrojtja
Mbrojtja argumenton se “artriti i dyfishtë” i Andic kufizonte atë që quhet “reaksioni mbrojtës” i trupit në rast humbjeje të ekuilibrit, duke bërë që rënia të ishte më e papritur dhe më pak e kontrolluar.
Avokatia ka porositur një ekspertizë të veçantë, që analizon detaj pas detaji videon e rënies në Mutua Universal dhe përpiqet të rikrijojë kushtet e aksidentit në Montserrat, ku Andic humbi jetën.
Studimi bazohet në rindërtim tredimensional biomekanik dhe teste në terren me përdorim të manekinit. Sipas përfundimeve të ekspertëve, modeli i lëvizjes që shihet në të dy rastet, ngatërrim, humbje e ekuilibrit, zhvendosje anësore dhe rënie pa reagim mbrojtës të duarve, përputhet me plagët e regjistruara gjatë autopsisë. Ekspertiza përfundon se rënia vdekjeprurëse mund të shpjegohet plotësisht si aksident, pa nevojën e ndërhyrjes së një personi tjetër.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se gjendja e shëndetit të Andic është vetëm një nga elementet e çështjes. Artriti nuk e pengonte të ushtrohej apo të bënte ecje në natyrë.
Megjithatë, Prokuroria mund të argumentojë se, duke qenë sëmundja e tij serioze, zgjedhja e një shtegu të vështirë në Montserrat mund të mos kishte qenë e përshtatshme.










