Janë zhvilluar mesditën e sotme, njëra pas tjetrës, seancat për caktimin e masës së sigurimit ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruci alias Viktor Ruci.
Ishte pikërisht konflikti i pronësisë së këtyre dy personave, për një Beach-Bar në bregdetin e Bashkisë Himarë, ai që degjeneroi më pas në sherr me sende të forta e deri në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.
I pari që doli para togave të zeza ishte 50-vjeçari Tori Ruci. Ai ishte ndaluar nga policia ditën e shtunë, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Moskallzim i krimit”. Gjatë seancës për verifikimin e kushteve e kritereve të zbatimit të masës, Gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi ”, duke detyruar të dyshuarin të mos largohet nga banesa e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ruci rezulton i dënuar edhe më parë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Më pas prokurorja e çështjes Armida Kaçi dhe gjyqtari Mikel Hysometaj u zhvendosëm në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku mbahet i shtruar nën masa sigurie, 31-vjeçari Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë. Prokurorja kishte ngritur ndaj tij tre akuza, konkretisht “Moskallzim i krimit”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja” e kryer në bashkëounim. Gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e Prokurores Kaçi për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj 31-vjeçarit. Megjithëse masa u caktua për akuzat e ngritura nga Prokuroria, Gjykata ndau një qëndrim të kundërt me Prokurorin sa i përket çështjes veshjes së faktit juridik.
Për Gjykatën cilësimi i duhur ligjor deri në këto momente, mbi bazën e akteve të paraqitura, duhet të ishte “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrimi i pronës” kryer në bashkëpunim.










