Marrëveshja e shumëpritur midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilën Al Arabiya raporton se do të quhet “Deklarata e Islamabadit”, pritet të finalizohet në orët e ardhshme.

Pas javësh debatesh, dokumentesh që dërgoheshin dhe ktheheshin me kërkesa shtesë (të konsideruara të papranueshme), Uashingtoni dhe Teherani mund të kenë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të nisur që nga fundi i shkurtit.

Të paktën për momentin Axios dhe New York Times, përmbledhin kushtet e marrëveshjes, duke cituar burime të njohura me çështjen. Pikat kryesore të draft-marrëveshjes thuhet se sillen rreth energjisë bërthamore, Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimit të luftës në Liban. Sipas raportimeve, marrëveshja do të hynte në fuqi menjëherë pas njoftimit zyrtar nga të dyja palët.

Ja disa nga kushtet kryesore:

-Zgjatja e armëpushimit me 60 ditë, me pëlqim të ndërsjellë, që zbatohet në të gjitha frontet: tokë, det dhe ajër;

-Rihapja e Ngushticës së Hormuzit pa taksa dhe angazhimi i Iranit për të hequr minat duke lejuar kalimin e lirë të anijeve;

-Shtetet e Bashkuara heqin bllokadën e porteve iraniane dhe japin përjashtime nga sanksionet për të lejuar Teheranin të shesë naftë lirisht. Një burim qeveritar amerikan deklaroi se sa më shpejt që Irani të heqë minat, aq më shpejt do të hiqet bllokada;

-Konfirmimi i vendosjes së forcave amerikane në rajon për 60 ditët e ardhshme dhe tërheqja vetëm në rast të një marrëveshjeje përfundimtare;

-Angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore dhe për të negociuar pezullimin e programit të tij të pasurimit të uraniumit, duke përfshirë heqjen e rezervave të tij të uraniumit me nivel të lartë pasurimi;

-Fund i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, një situatë që ngriti shqetësime tek kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e shprehu këtë gjatë një telefonate me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Një zyrtar amerikan, megjithatë, sqaroi se ky nuk do të ishte “një armëpushim i njëanshëm” dhe se Izraeli do të autorizohej të vepronte nëse Hezbollahu do të përpiqej të riarmatosej ose të provokonte sulme;

-Zhbllokim i 25 miliardë dollarëve në asete iraniane që aktualisht janë të ngrira jashtë vendit.