Investimet e huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme arritën në 404 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, rreth 12% më shumë se një vit më parë. Ky sektor mban edhe peshën kryesore të investimeve të huaja, me 43% të totalit, i ndjekur nga ndërmjetësimi financiar me 17% dhe energjetika me 9%.
“Në vetvete rritja e investimeve të huaja është një tregues pozitiv, por përqendrimi kaq i madh tek pasuritë e paluajtshme nuk i shërben diversifikimit të ekonomisë. Shqipëria ka nevojë për investime cilësore që të mbështesin prodhimin dhe sektorët me vlerë të shtuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Në të njëjtën kohë është rritur edhe kapitali që bizneset dhe individët shqiptarë investojnë jashtë vendit. Në tremujorin e parë, investimet jashtë arritën në 240 milionë euro. Edhe pse më të ulëta se një vit më parë, ato mbeten ndjeshëm mbi nivelet e vitit 2021, ndërsa orientohen kryesisht drejt pronave, depozitave bankare dhe bizneseve.
“Kur kapitali largohet për të blerë asete jashtë vendit, ai u mungon sektorëve që ekonomia shqiptare ka më shumë nevojë të zhvillojë. Politikat fiskale që nxisin investimet prodhuese dhe rritja e transparencës mbi pronësinë e kompanive janë thelbësore. Përndryshe ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme dhe humbet mundësinë për të krijuar një bazë më të fortë prodhuese”, shton eksperti.
Ekspertët vlerësojnë se sfida nuk është vetëm tërheqja e kapitalit të huaj, por orientimi i tij drejt industrisë, teknologjisë dhe sektorëve që rrisin produktivitetin, në mënyrë që një pjesë më e madhe e kapitalit të mbetet dhe të gjenerojë zhvillim brenda ekonomisë shqiptare.










