Prej katër ditësh tanimë, qytetarë dhe aktivistë po protestojnë në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e resortit në Zvërnec. Edhe pse protesta është prezantuar si një nismë qytetare pa prapavijë politike, ditët e fundit në të janë shfaqur gjithnjë e më dukshëm përfaqësues dhe aktivistë të forcave të ndryshme politike.
Në fillim u raportua se organizimi i protestës ishte marrë përsipër nga Arlind Qorri dhe Lëvizja Bashkë. Ky fakt nuk u mohua as nga vetë Qorri, i cili në daljet e tij publike dhe përmes postimeve në rrjetet sociale e ka mbështetur hapur protestën, duke u pozicionuar si një nga figurat më të spikatura të saj.
Megjithatë, me kalimin e ditëve, në protestë është vënë re gjithnjë e më shumë prania e Adriatik Lapajt dhe aktivistëve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Një prej figurave më aktive të kësaj force, Gresa Hasa, ka marrë një rol të dukshëm në promovimin dhe koordinimin e aktiviteteve që lidhen me protestën, duke publikuar vazhdimisht njoftime, thirrje për pjesëmarrje dhe kalendarin e mobilizimeve të ardhshme.
Së fundmi, Hasa ka bërë publik edhe një kalendar aktivitetesh që shtrihet përtej Shqipërisë, duke njoftuar zhvillimin e një proteste solidarizuese në Vjenë më 6 qershor. Në njoftimin e saj, ajo fton shqiptarët që jetojnë në Austri të mblidhen fillimisht përpara Ambasadës së Shqipërisë dhe më pas të marshojnë drejt Kancelarisë Federale Austriake, në mbështetje të protestuesve që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.
“Të dashur miq dhe kolegë në Vjenë, Të shtunën, më 6 qershor, në orën 16:30, do të mblidhemi përpara Ambasadës së Shqipërisë (Boltzmanngasse 16) në solidaritet me qytetarët në mbarë Shqipërinë që po protestojnë për të mbrojtur natyrën, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Pas protestës, do të marshojmë drejt Kancelarisë Federale të Austrisë (Ballhausplatz 2) për t’i bërë thirrje qeverisë austriake që të dëgjojë zërin e protestuesve dhe të shoqërisë civile në Shqipëri, si dhe të mbështesë dhe të vendosë një dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e tyre”, shkruan ajo.
Në këtë kontekst, duket se Lapaj dhe aktivistët e tij janë duke “përvetësuar” protestën, e cila fillimisht u identifikua më shumë me angazhimin e Arlind Qorrit dhe aktivistëve të Lëvizjes Bashkë.










