Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar se kontrollet e kryera në të gjithë vendin për produktin plehërues inorganik Ure nuk kanë konstatuar shkelje lidhur me përmbajtjen e azotit apo tregtimin e tij.
Sipas AKU-së, verifikimet u ndërmorën pas denoncimeve për tregtim të plehut Ure me përqindje azoti më të ulët se ajo e deklaruar në etiketë, si dhe pretendimeve për mospërputhje të përmbajtjes, ngjyrës dhe regjistrimit të produktit, në kundërshtim me ligjin nr. 17/2020 “Për produktet plehëruese”.
Kontrollet janë zhvilluar në subjektet që ushtrojnë aktivitetin e importit, magazinimit dhe tregtimit me shumicë e pakicë të këtij produkti. Nga inspektimet në terren ka rezultuar se produkti plehërues inorganik Ure që tregtohet në Shqipëri është i regjistruar sipas kërkesave ligjore.
Gjatë aksionit janë marrë 15 mostra, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Fushë-Krujë. Analizat janë fokusuar në treguesit cilësorë të produktit, veçanërisht në përqindjen e azotit.
Sipas rezultateve të publikuara, të gjitha mostrat kanë rezultuar në përputhje me përqindjen e azotit të deklaruar në etiketë. Gjithashtu, treguesit fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës kanë rezultuar konform kërkesave të legjislacionit në fuqi.
AKU thekson se do të vijojë kontrollet në terren për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e fermerëve, ndërsa u bën thirrje këtyre të fundit të raportojnë çdo rast të dyshuar për abuzim me imputet bujqësore.










