Viti 2026 mund të konsiderohet si viti i festave të mëdha sportive. Muaji i fundut na dhuroi disa triumfe që iu dhanë fund ‘thatësirave’ të gjata si; triumfi i Arsenalit në Premier League pas 22 vitesh, titulli kampion në NBA i New York Knicks pas 53 vitesh, fitorja e parë e Hamilton me Ferrarin dhe ajo e Zverev në një Grand Slam.
Në Londër, humbja në finalen e Champions League në Budapest nuk e prishi festën e tifozëve të Arsenalit të cilët pritën me një entuziazëm të jashtëzakonshëm skuadrën e tyre në paradën e zhvilluar në rrugët e kryeqytetit anglez për fitoren e titullit të Premier League për të cilin kishin pritur plot 22 vjet dhe që në një moment, pas humbjes me Manchester City u duk sikur iu rrëshkiti sërish nga duart. Kështu mbi 1 milion tifozë të Arsenalit vërshuan në rrugët e veriut të Londrës për të festuar titullin, për lavdinë e netëve evropiane do të ketë kohë
Skena të ngjashme u përjetuan edhe në rrugët e New Yorkut, ku pas fitores së Knicks në ndeshjen e pestë ndaj San Antonios që riktheu edhe titullin kampion të NBA pas 53 vitesh, shpërtheu festa më e çmendur. Në qytetin amerikan që nuk fle kurrë, skenat festive vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër; një dehje gëzimi për një moment që në qytet e prisnin me breza të tërë.
Viti 2026 nuk ishte viti i fundit të thatësirave vetëm në sportet kolektive. Edhe në sportet individuale u regjistruan suksese të denja për t’i shënjuar me rreth të kuq. Në tenis, Alexander Zverev i dha fund mallkimit që mbartte me vete në turnetë Grand Slam duke fituar Roland Garros. Ndërsa në Formula 1 në fundjavën e Barcelonës, Lewis Hamilton, në sezonin e tij të dytë me Ferrarin arriti të sigurojë më në fund fitoren e tij të parë me Kokëkuqen Italiane
Dhe tani duke vijuar me këtë trend shkojmë te Botërori, ku mund të jetë radha e triumfit të një ‘Hirusheje’; ndoshta ka ardhur koha që futbolli të kthehet në shtëpi…Anglia pasi iu afrua shumë realizimit të ëndrrës në edicionet e fundit, shpresojnë që ky edicion të jetë radha e saj që të arrijë një triumf, 60 vjet pas suksesit të vetëm të saj. Një shpresë që e mban edhe Holanda që nuk e ka fituar kurrë një Kupë Bote edhe pse ka arritur në finale plot 3 herë. Portokallinjtë ëndërrojnë një vend në parajsë dhe në historinë e vendit; gjithçka të bën të mendosh se ky vit mund të jetë i duhuri për të thyer një tjetër tabu.










