Sot pritej të shpallej pretenca për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Nëna e Monika Kryemadhit ka deklaruar se nuk dëshiron gjykim të shkurtuar.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, bën me dije se Fatime Kryemadhi ka deklaruar gjatë seancës se nuk do gjykim të shkurtuar, pasi nuk ka bërë pastrim parash. Gjykata në fund njoftoi shtyrjen e seancës, pasi prokurori Arben Kraja nuk kishte ende gati pretencën.

Pas daljes nga GJKKO, Fatime Kryemadhi ka folur për Top Channel, ku tregon se ajo do ta vijojë çështjen deri në fund, pasi pretendon se të ardhurat e saj janë të deklaruara sipas ligjit.

“Erdha, sepse tani nisi çështja ime. E dyta, unë u tërhoqa, sepse ata nuk morën asnjë të ardhur në shqyrtim, por kishin sjellë vetë një eksperten e tyre.

Do të vij edhe në seancën e radhës, do të jem këtu, unë i kam tamam të ardhurat e mia. Unë e di, Idajet Beqiri i ka bërë këto punë. Dihet kush e shtyrë”, u shpreh Fatime Kryemadhi.