Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka analizuar protestën e qytetarëve, duke deklaruar se është gabim për qeverinë nëse protestën nuk e merr seriozisht.
Ndër të tjera, Haxhiu tha se BE-së nuk i duhet një lider si Rama “karizmatik dhe debatues” pasi mund t’i krijojë probleme.
“E para, është gabim të mos merret seriozisht kjo protestë. Aty janë grupime që mendojnë se sistemi nuk i dëgjon, perspektiva është e munguar, që nuk kanë hapësirë politike, që nuk kanë patur hapësirë as te partitë opozitare dhe shteti nuk i ka dëgjuar. Këto janë grupimet brenda. Ka interesa dhe qëllime. Natyrshëm secila parti kërkon hapësirën dhe të marrë sa më shumë grupime.
Dua të them, rreziku për Shqipërinë nuk është protesta, në asnjë mënyrë. Rreziku për Shqipërinë, qeverinë, do të ishte sikur pas një kohe, apo pas disa vitesh këta njerëz të mos protestojnë por të kapin avionin dhe të ikin nga Shqipëria.
Më pelqen që njerëzit protestojnë. Brenda protestës duhet një analizë tjetër. Po bëhet një gabim, jam rritur me protesta, e gjithë jeta ime që nga viti ’80 është rritur në gjendje të jashtëzakonshme dhe protesa. E di përmendësh se si rajoni ka ndërtuar rrëfimin e protestës. Duke parë zonjën Ibrahimi mund të them se po bëhet lexim i gabuar i njerëzve në rrugë.
Numrat kanë rëndësi kur përpiqesh të kuptosh forcën elektorale të një lëvizje, por këtu nuk është lëvizje elektorale, por ka një pakënaqësi brenda. Ajo që më shqetëson është që ky grupim, nuk ka kauzë të qartë politike.
Kjo e bën grupimin kaotik. Mendoj se te këto grupime kaotike, për ata që njohin rrëfimin e protestave, funksionojnë pa liderë, pa organizatë mbrapa, nuk kanë program. Ajo që është gabim, të trajtohet si grupim që bën kërcënim politik.
Ky është gabimi. Nuk ka adresë dhe organizim, do të përdoret nga partitë politike për të ndërtuar rrëfime politike.
Ajo që kam bindje, si natyrë e grupimeve, kjo është protestë e heshtur e zhgënjimeve, disa të rinjve që kërkojnë hapjen e derës dhe perspektivës. Kur sistemi të mbyll derën, problemi është shteti.
Ku është Edi Rama në këtë histori? Ai ka një vizion të vetin deri në 2029. Donim apo jo ai ka marrë votat. Cilat janë? Janë për Zvërnecin.
Si kontestohet një lidership që ka një vizion dhe ka fituar vota? Janë dy momente, kohëzgjatja e tij në pushtet. Ky është ndoshta arsyeja pse njerëzit janë aty dhe mendojnë se i është mbyllur sistemi. Mendoj se kryesorja është që BE ka një lider të një shteti të vogël, karizmatik dhe debatues, BE-së nuk i duhet nje debatues i tillë, mund të krijojë pengesa.
Dorën ne zemër, një prej figurave politike që e ka ndërtuar një rrëfim për Shqipërinë është kryeministri shqiptar. A dëshirojmë që ky grupim ta rrëzojë? Kjo është çështje politike. Kjo mund të ndërtohet me rrëfimin për oligarkët, kohëzgjatjen e pushtetit. Desha të them, çfarë rruge është të rrëzohet ky pushtet? Duam modelin e 97 që kemi provuar?
Kur nis protesta, ti nuk e di fundin”, tha ndër të tjera Haxhiu










