Partia Demokratike është pro kërkesës së protestuesve për një qeveri tranzitore apolitike, por rruga për të shkuar drejt saj, për Sali Berishën është krejt e ndryshme nga ajo që propozon artikuluesi i kërkesave në protestë, Dritan Goxhaj.
Për Berishën, qeveria tranzitore duhet të vijë si vullnet i palëve politike dhe të marrë votëbesimin në parlament e jo si fryt i shortit të një Asambleje prej 101 anëtarësh.
“Qeveri jo partiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, të cilën mbi bazën e një marrëveshjeje të forcave politike në parlament, do marrë votëbesimin e plotë. Ajo duhet të votohet nga parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë në zgjedhje vendin”, tha Berisha.
Edhe ndryshimet kushtetuese, mes të cilave, kufizimi në 2, i mandateve të kryeministrit që protestuesit propozuan të bëhet me referendum popullor, sipas kryedemokratit nuk duhen bërë duke anashkaluar parlamentin.
“Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë”, tha kreu i PD.
Berisha thotë se sulmet që kryeministri Edi Rama bëri në drejtim të aktivistit Dritan Goxhaj duke rrëzuar në të shkuarën e tij, janë të turpshme.
“Përpiqen të përbaltin luftën, të përbaltin heronjtë e luftës, janë antishqiptarë që kanë shitur shpirtin e tyre te droga, krimi e vjedhja”, u shpreh Berisha.
Ai pretendon se kërcënime dhe shantazhime ka edhe ndaj protestuesve që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.










