Grupi A i Kupës së Botës 2026 ka mbyllur ndeshjet e grupeve mëngjesin e sotëm me orën shqiptare, teksa Meksika e cila e kishte siguruar kalimin në fazën e 1/16-ave, ia ka dalë të mposhtë 3-0 Çekinë duke i eliminuar evropianët. Nga ana tjetër, Afrika e Jugut fitoi 1-0 kundër Koresë së Jugut dhe merr biletën direkte për në fazën e radhës duke shkruar historinë, pasi asnjëherë më parë nuk kishte dalë nga grupet. Aziatikët duhet të presin fundin e të gjitha ndeshjeve në grupet e tjera për të mësuar nëse do të jenë mes tetë ekipeve si vendet e treta më të mira.
Në ‘Azteca’ të Mexico Cityt, vendasit e Meksikës fituan 3-0 kundër Çekisë me golat e Chavez Garcia, Quinones dhe Fidalgo në pjesën e dytë. Meksika shkruan historinë dhe e mbyll me tre fitore Grupin A duke merituar vendin e parë, pa pësuar asnjë gol. Një moment emocionues ishte ai i minutës së 78-të kur portieri veteran Ochoa u fut në fushë në moshën 40-vjeçare. Për të ky është Botërori i gjashtë që merr pjesë dhe i katërt që luan. Asnjëherë më parë Meksika nuk fitonte tre ndeshje në grupet e Botërorit.
Në Monterrey, kombëtarja e Afrikës së Jugut fitoi 1-0 kundër Koresë së Jugut dhe merr biletën direkte për në turin e radhës falë golit të Thapelo Masekos në minutën e 63-të.
Në fund të këtij grupi, Meksika ka 9 pikë të plota, Afrika e Jugut katër, Korea e Jugut tre pikë dhe në fund Çekia e eliminuar me vetëm një pikë.
Kombëtaret e kualifikuara deri tani në raundin e 1/16-ave: Meksika, SHBA-ja, Gjermania, Argjentina, Franca, Norvegjia, Kolumbia, Zvicra, Kanadaja, Bosnje Hercegovina, Brazili, Maroku, Afrika e Jugut.










