Sipas planit aktual, ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet në Zvicër, ku palët do të formalizojnë marrëveshjen që synon t’i japë fund një prej krizave më të rrezikshme të muajve të fundit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, shumë analistë vlerësojnë se sfidat mbeten të shumta dhe se zbatimi i marrëveshjes do të jetë testi i vërtetë për qëndrueshmërinë e paqes në rajon.

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme duket se u shpëtua në momentet e fundit, pas tensioneve të shkaktuara nga një sulm izraelit në Bejrut që rrezikoi të rrëzonte të gjithë procesin diplomatik.

Sipas mediave iraniane, negociatat u përballën me një krizë serioze pasi Teherani vendosi të ndërpresë kontaktet me Uashingtonin pas goditjes së një zone në periferinë jugore të Bejrutit, e konsideruar si bastion i Hezbollahut. Raportohet se Irani po shqyrtonte edhe mundësinë e një reagimi ushtarak ndaj Izraelit, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri në rajon.

Marrëveshja e arritur parashikon një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha frontet e konfliktit, përfshirë edhe Libanin, si dhe nisjen e një procesi negociues që synon një zgjidhje afatgjatë mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Një nga elementët më të rëndësishëm të saj është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më strategjike në botë për transportin e naftës. Sipas planit të dakordësuar, bllokada detare do të hiqet dhe lundrimi në rajon do të rikthehet gradualisht në normalitet. Gjithashtu, Irani dhe Omani pritet të bashkëpunojnë për krijimin e një kuadri të ri ligjor që do të rregullojë trafikun detar në ujërat e Gjirit Persik.

Marrëveshja parashikon edhe nisjen e negociatave brenda 60 ditëve për programin bërthamor iranian dhe për lehtësimin e sanksioneve ekonomike. Gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë vendosje të reja trupash amerikane në rajon dhe as sanksione të reja ndaj Teheranit.

Po ashtu, parashikohet lirimi gradual i një pjese të fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit, ndërsa do të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar monitorimi për të mbikëqyrur zbatimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marrëveshja përfaqëson një sukses të rëndësishëm diplomatik dhe një hap drejt stabilitetit në Lindjen e Mesme. Ai paralajmëroi megjithatë se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje përfundimtare për programin e tij bërthamor, Shtetet e Bashkuara mund të rikthejnë presionin ndaj Teheranit.

Trump kritikoi gjithashtu ashpër veprimet e Izraelit, duke lënë të kuptohet se sulmi në Bejrut rrezikoi seriozisht negociatat dhe mund të kishte çuar në dështimin e marrëveshjes.