Në Tiranë është zhvilluar Konferenca Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, një forum i dedikuar forcimit të standardeve dhe rritjes së sigurisë në sektorin turistik, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zhvillimin e turizmit në vend.

Gjatë aktivitetit, drejtuesi i Kryeinspektoriatit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, theksoi se rritja e vazhdueshme e turizmit në Shqipëri shoqërohet me përgjegjësi më të mëdha për institucionet publike, të cilat duhet të garantojnë shërbime cilësore, siguri për qytetarët dhe turistët, si dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor dhe mjedisor.

Në fokus të diskutimeve u vendosën disa shtylla kryesore, përfshirë sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe territorit, mbikëqyrjen e tregut, respektimin e të drejtave të punëmarrësve si dhe luftën kundër informalitetit në sektor.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për një qasje më moderne të inspektimit, të bazuar në analizën e riskut, parandalim dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional. Sipas tyre, rritja e efikasitetit të kontrolleve lidhet drejtpërdrejt me forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit.

Gjithashtu u nënvizua roli i digjitalizimit si një element kyç për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e punës së administratës publike në sektorin e turizmit.

Në kuadër të procesit të integrimit europian, u ritheksua rëndësia e përafrimit dhe zbatimit në praktikë të standardeve të Bashkimit Europian, me synimin për ndërtimin e një sektori turistik më të qëndrueshëm, të sigurt dhe konkurrues.

Konferenca përmbylli punimet me mesazhin se zhvillimi i një turizmi cilësor dhe të sigurt kërkon bashkëpunimin e vazhdueshëm të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në këtë sektor.