Me debate mes opozitës dhe mazhorancës kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, ku diskutimet janë përqendruar te afatet, ecuria e punës dhe rezultatet e deritanishme të komisionit.

Gjatë debatit, bashkëkryetari Arbjan Mazniku ka theksuar se komisioni funksionon mbi bazën e paritetit mes mazhorancës dhe opozitës, duke argumentuar se përgjegjësitë për ecurinë e procesit punën dhe propozimet, janë të përbashkëta.

“Mungesa e rezultateve dhe koha e humbur kanë ardhur si pasojë e bllokimit sistematik nga opozita. Çdo produkt që është propozuar nga ana teknike, është propozuar nga mazhoranca në komision. Përgjegjësitë për agjendën, ecurinë e punës, produktet, tipologjinë dhe numrin e tyre në një komision me bashkëkryesi dhe përbërje 8 me 8 janë të përbashkëta. Nuk e kuptoj kujt po i kërkohet llogari vetëm nga njëra palë. Keni kërkuar paritet dhe pariteti sjell edhe përgjegjësi, jo vetëm fjalë. Ju keni ardhur, keni folur, keni ikur. Ne kemi ardhur dhe kemi bërë edhe disa punë”, u shpreh Mazniku.

Ai shtoi se në një komision me përfaqësim të barabartë mes palëve, llogaria për rezultatet duhet të kërkohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në proces dhe jo vetëm nga njëra anë.