Sot pritet të mbahet protesta e tetë kundër projektit në Zvërnec. Tubimi vjen si revoltë e qytetarëve e nisur që nga e diela e javës që lamë pas dhe e cila vazhdon edhe sot. Me sloganin “Shqipëria nuk shitet”, pjesëmarrësit po dalin çdo pasdite në sheshe, duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes dhe duke kundërshtuar projektin e investimit në zonën e Zvërnecit.
Qytetarët kanë paraqitur edhe 5 kërkesat e tyre ndaj qeverisë, ku kërkojnë: dorëheqjen e qeverisë, shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketë së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Vala e protestave është ndjekur edhe nga rrethet, ku qytetarët janë ngritur në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan e Vlorë. Ndërkohë protestat kundër projektit në Zvërnec janë shtrirë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ku shqiptarët kanë protestuar në SHBA, Gjermani, Itali, Zvicër, Britani, Bruksel e Vjenë.










