Ylli botëror i muzikës, Shakira, ka surprizuar fansat duke shprehur publikisht dëshirën për të bashkëpunuar me këngëtaren me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

Gjatë një interviste me Lele Pons, artistja kolumbiane u pyet për bashkëpunimet që do të dëshironte të realizonte në të ardhmen. Pa hezitim, ajo përmendi emrin e Duas, duke i dërguar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë.

“Do të më pëlqente të bashkëpunoja me Dua Lipën. Dua Lipa, a po më dëgjon? A e dini që ajo flet spanjisht?”, tha Shakira me entuziazëm.

Komenti i saj u prit me interes nga fansat, ndërsa Lele Pons e cilësoi Dua Lipën si “të mrekullueshme”. Shakira e mbështeti menjëherë këtë vlerësim, duke shtuar: “Ajo është e jashtëzakonshme”.

Edhe pse deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për një projekt të përbashkët muzikor, deklarata e Shakirës ka ndezur spekulimet për një bashkëpunim të mundshëm mes dy artisteve, të cilat gëzojnë sukses të madh në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Një duet mes Shakirës dhe Dua Lipës do të ishte padyshim një nga bashkëpunimet më të shumëpritura nga publiku, duke bashkuar dy prej emrave më të njohur të muzikës pop në botë.