Një nga lajmet më befasuese të merkatos së futbollit vjen nga Italia, ku legjenda braziliane Ronaldinho është gati të rikthehet në fushë në moshën 46-vjeçare, pasi ka arritur marrëveshje me klubin italian Ravenna, që garon në Serie C.
Ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit do të prezantohet zyrtarisht më 23 qershor gjatë një eventi madhështor në Miami, ku klubi italian do të zbulojë gjithashtu fanellën e re për sezonin e ardhshëm.
“Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të rikthehem të vallëzoj me topin dhe të shkruaj një histori të re së bashku me Ignazion dhe familjen Cipriani. Futbolli ka qenë gjithmonë burim gëzimi për mua dhe dua ta sjell të njëjtin shpirt në Ravenna”, deklaroi Ronaldinho.
Klubi italian, i cili sezonin e kaluar ishte pranë ngjitjes një kategori më lartë, synon objektiva të mëdha dhe ka vendosur të investojë në një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit botëror.
Presidenti i klubit, Ignazio Cipriani, nuk e fshehu entuziazmin për këtë transferim të jashtëzakonshëm.
“Kam kaluar 24 vite të jetës sime në Shtetet e Bashkuara, por Ravenna mbetet shtëpia ime. Të sjellësh Ronaldinhon në klub është diçka e jashtëzakonshme. Ai ka qenë idhulli im dhe ndikimi i tij në futboll shkon shumë përtej asaj që ka bërë në fushën e lojës”, u shpreh Cipriani.
Sipas planit të klubit, Ronaldinho do t’i bashkohet ekipit që në fazën përgatitore dhe do të jetë në dispozicion të stafit teknik gjatë gjithë sezonit.
Ngjarja e prezantimit do të ketë edhe karakter bamirësie, pasi Ravenna dhe familja Cipriani do të dhurojnë fonde për organizatën “Street Soccer USA”, e cila përdor futbollin si mjet për zhvillimin social dhe edukativ të të rinjve në komunitete me vështirësi ekonomike.
Nëse marrëveshja finalizohet siç është paralajmëruar, futbolli italian do të përjetojë një nga rikthimet më të bujshme të viteve të fundit, me Ronaldinhon që pritet të zbresë sërish në fushë për të magjepsur tifozët, kësaj radhe me fanellën e Ravennës.










