Debati shekullor për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave (GOAT) ka marrë një kthesë të re pas komenteve të fundit të legjendës Sir Alex Ferguson.
Për më shumë se dy dekada, rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit ka mbajtur pezull botën e futbollit, por për ish-trajnerin e Manchester United, dilema duket se nuk ekziston më. Duke folur për dyshen që dominon skenën botërore, Ferguson u shpreh se stabiliteti dhe qëndrueshmëria e Ronaldos dhe Messit i vendosin ata në një nivel të paarritshëm. Sipas tij, yje të rinj si Haaland, Mbappe, Kane apo Dembele, pavarësisht talentit, janë ende larg arritjes së standardeve marramendëse që dyshja legjendare ka ruajtur për vite me radhë.
Megjithatë, kur erdhi momenti për të marrë një vendim final dhe për të zgjedhur të preferuarin e tij, skocezi nuk hezitoi. Me një deklaratë që pritet të ndezë debate të pafundme, Ferguson konfirmoi pozicionin e tij: “Ronaldo është fëmija im. Ai është më i madhi i të gjitha kohërave,” – deklaroi shkurt e prerë ish-strategu i “Djajve të Kuq”, duke i dhënë kështu votën e tij përfundimtare yllit portugez.
Ndonëse rekorde dhe trofe të panumërta vazhdojnë të mbështesin secilën anë të debatit, mendimi i Fergusonit mbetet një prej zërave më me peshë në historinë e futbollit. Deklarata e tij nuk është thjesht një preferencë, por një vulë e rëndësishme që rindez diskutimin global për atë që mbetet “Mbreti” i pakontestueshëm i fushave të blerta.










