Përballja mes Argjentinës dhe Austrisë ka dhuruar një skenar të çmendur, ku Lionel Messi përjetoi brenda pak minutave të gjitha dritëhijet e futbollit.

Në fillim të takimit, 38-vjeçari gaboi nga pika e bardhë duke vendosur një rekord negativ: ai u konfirmua si lojtari që ka shpërdoruar më shumë penallti në historinë e kampionateve botërore, me tre dështime nga shtatë tentativa në total.

Por aty ku çdo lojtar tjetër do të gjunjëzohej nën presionin mbinjerëzor, gjeniu argjentinas gjeti forcën për t’u shpaguar. Me një reagim madhështor, Messi mposhti mbrojtjen austriake duke shënuar një gol epokal, që e ngjit atë në kuotën e jashtëzakonshme prej 17 golash të shënuar përgjatë gjashtë turneve të ndryshëm botërorë.

Me këtë kryevepër, numri 10 ka parakaluar zyrtarisht legjendën gjermane Miroslav Klose, i cili mbante majën me 16 gola. Nga një makth fillestar në amshimin e futbollit, Lionel Messi shkroi një tjetër faqe lavdie, duke u konfirmuar si mbreti i padiskutueshëm i golit në historinë e kampionatit botëror.